E SHKRUAR ME PLUMB

Zoran Žmirić

OSMAN GASHI
1 min readApr 24, 2024

E përktheu: Osman GASHI

Kur të kem rënë
atje ku gjurmën e fundit e ka mbuluar bora
ku zogjtë pa fëshfëritje krahësh bien mbi tela
atje ku fara ëndërron për lisin
ku përroi i kungon peshqit e ngrirë
më lini atje të shtrirë
në një farë me frymën e fundit
do t’ia pëshpëris emrin
do ta shtrëngoj gishtin dhe do ta shpërthej tokën
do ta shtyj kokrrën dhe do ta mbuloj me dhe
do të shtrihem mbi të
që të mos e ngrijë acari
nuk do të më gjejnë kurrë
nga brinjtë do të mbijë lisi
era me gishtat e saj do t’ia shkërmoqë gjethet
dhe do ta fryjë larg në rrugë për në Kvarner
ajo do të rrijë ulur në ballkon
do t’i duket sikur po e thërret dikush
do të dridhet pak

ai do ta pyesë a ka të ftohtë
ajo nuk do ta heq shikimin nga libri
vetëm për shkurt do të kujtohet
se ç‘i kishte thënë gjyshja kur ishte e vogël
kur njeriu pa arsye dridhet
kjo ndodh nga që e ka kapërcyer vdekja

--

--

OSMAN GASHI
0 Followers

University Professor, Poetry writer, Literary Translator