GURI I ZI MBI GURIN E BARDHË

CESAR VALLEJO (1892–1938)

OSMAN GASHI
2 min readDec 28, 2023

I përktheu: Osman GASHI

Do të vdes në Paris kur të ketë rënë një shi i madh,
një ditë që tashmë e kujtoj.
Do të vdes në Paris — dhe nuk nxitoj –
mbase ndonjë të enjte siç është edhe sot, në vjeshtë.

E enjte do të jetë, sepse sot është ditë e enjte, i shkruaj
këto vargje, krahu më dhemb sot,
dhe ndjehem keq dhe, asnjëherë si sot: nuk u jam kthyer
të gjitha shtigjeve të jetës, duke heshtur i vetmuar.

César Vallejo është i vdekur, e kanë goditur
të gjithë, ndonëse ai nuk e kishte prekur askënd,
e kanë goditur me shkopinj dhe me këpucë,

po ashtu edhe me litar; dëshmitarë janë
ditët e enjte dhe kockat e krahut,
vetmia, shiu, udhët…

TURMA

Në fund të betejës,
luftëtarit të vdekur, iu drejtua njeriu
dhe i tha: “Mos vdis, aq shumë të dua!”
Por, kufoma, oh, vazhdoi të vdesë.

E rrethuan dy të tjerë, dhe i thanë sërish:
“Mos na braktis! Je trim! Kthehu në jetë!:
Por, kufoma, oh, vazhdoi të vdiste.

Vrapuan ta ndihmojnë, njëzetë, qindar,
mijëra, pesëqind mijë njerëz!”
Duke ulëritur: “Aq shumë dashuri dhe asgjë
s’mund të bëhet kundër vdekjes!”
Por, kufoma, oh, vazhdoi të vdiste.

E rrethuan miliona njerëz,
me një lutje të përbashkët: “Mos vdis vëlla!”
Por, kufoma, oh, vazhdoi të vdesë.

Më pas, të gjithë njerëzit e botës
e rrethuan; të pikëlluar që kufoma i pa;
ajo, e shqetësuar, ngadalë hyri në turmë,
e përqafoi të parin brenda saj;
dhe hodhi hapin…

USHQIMI I BEKUAR

Sot askush nuk ka ardhur të më pyesë;
dhe as që më kanë lutur për ndonjë gjë këtë pasdite.

Nuk e kam parë as edhe një lule varrezash
në procesionin aq të gëzuar të dritës.
Më fal, Zot, që jam pak i vdekur!

Këtë pasdite të gjithë, të gjithë kalojnë,
as që më pyesin për ndonjë gjë, as që më lusin për ndonjë gjë.

Dhe nuk e di se si kanë harruar,
mbeti kobi në duart e mia.
si diçka e huaj.

Zbres tek porta
më pushton një dëshirë t’u këlthas të gjithëve
nëse e hidhni ndonjë kothere, këtu do mbetet!

Sepse në të gjitha pasditet e kësaj jete,
unë nuk e di çfarë fytyre tregojnë dyert,
ndërkaq shpirti im merr diçka të huaj.

Sot askush nuk ka ardhur;
e unë jam, sot, në këtë pasdite, kaq pak i vdekur!

--

--

OSMAN GASHI
0 Followers

University Professor, Poetry writer, Literary Translator