PSALMET

I shkroi: Ernesto KARDENAL

OSMAN GASHI
7 min readDec 21, 2023

I përktheu: Osman GASHI

LUM NJERIU

Psalmi 1

Lum njeriu që nuk i ndjek direktivat e Partisë
Që nuk shkon në mbledhjet e saj
Nuk rri me gangsterët
As me Gjeneralët e Këshillit të Luftës
Lum njeriu, i cili nuk e spiunon të afërmin
Dhe në shokët nga banka e shkollës nuk ankohet
Lum njeriu, i cili nuk i lexon reklamat
Nuk e dëgjon radion e tyre
Nuk u beson parullave të tyre

Do të jetë si pemë e mbjellë skaj burimit

MË DËGJO KUR TË THËRRAS

Psalmi 4

Më dëgjo kur të thërras o Perëndi drejtësia ime
Ti do të më çlirosh nga kampi i përqëndrimit

Deri kur ju, prijës do të jeni të çmendur?
Deri kur fjalët tuaja do të jenë parulla
dhe propagandë e pastër?

Janë shumë ata që pyesin:
Kush do të na shpëtojë nga bomba nukleare?
O Perëndi ktheje fytyrën tënde të ndritshme
Nga Bombat

Në zemrën time ke mbjellë gëzimin
Më të pastër se sa vera që ata e pijnë në gosti

Unë flej posa shtrihem
Dhe s’kam ankthe as pagjumësi
Nuk i shoh shpirtërat e viktimave të mia
Nembutalët më janë të panevojshëm
Sepse Ti më sjell besimin o Perëndi

DËGJOJE PROTESTËN TIME

Psalmi 5

O Perëndi dëgjoji fjalët e mia
Dëgjoje klithmën time
Dëgjoje protestën time
Sepse ti je ai Perëndi që nuk është mik i diktatorit
As ithtar i politikës së tyre
Nuk e dëgjon propagandën e tyre
As ulesh me gangsterët

Nuk ka drejtësi në gojët e tyre
As në deklaratat e tyre për shtypin

Fjalimet e tyre janë për paqen
Ndërkaq shtojnë prodhimin e armëve

Flasin për paqe në Konferencat për paqe
Derisa fshehurazi përgatiten për luftë
Radio — stacionet e tyre ulërijnë tërë natën
Librat e tyre janë përplot plane kriminale
Dhe ndihmës kriminelë
Por ti do të më shpëtosh nga qëllimet e tyre
Ata flasin me grykat e mitralozëve
Gjuhë shkëlqyese
i kanë bajontat…

Dënoji, o Perëndi
Le t’u shkojë kot politika
Ua përziej memorandumet
hidhi programet e tyre
Kur të tingëllojë sirena e alarmit
Ti do të jesh pranë meje
Dhe Ti do të më bëhesh strehimore në Ditën e Bombës

Atë që s’u beson reklamave të tyre të rrejshme
Dhe as fushatës së tyre propagandistike e politike
Ti do ta bekosh
Dhe do ta rrethosh me dashuri
Si me tanke të blinduara

MË RUAJ O PERËNDI

Psalmi 7

Më ruaj Perëndi
Nga SS-ët, N.K.V.D.-ja, F.B. I -ja dhe G. N. — ja

Më ruaj nga Këshillat e luftës
Nga tërbimi i gjykatësve dhe rojave të tyre

Ti je ai që gjykon Fuqitë e mëdha
Ti je gjykatës i cili gjykon Ministrat e Drejtësisë
Dhe Gjykatat supreme të drejtësisë

Më shpëto Perëndi nga gjykimet e montuara
Mbroji të përndjekurit dhe të deportuarit
Ata që janë akuzuar për spiunim dhe sabotazh
Edhe ata që janë dënuar me punë të detyruar

Fuqia e Perëndisë është më e tmerrshme
Se sa arma nukleare
Dhe ai që tjetrit i bën varrin vetë bie në të

Unë do të të përkulem nga se je i drejtë
Do të të lëvdoj me psalmet
Dhe këngët që i këndoj

DO TË LËVDOJ PERËNDI TË GJITHA MREKULLITË TUA

Psalmi 9

Do të lëvdoj Perëndi të gjitha mrekullitë tua
Do të të këndoj himne
Ngase janë thyer forcat ushtarake
Të Fortët kanë humbur fuqinë
Ua kanë hequr portretet dhe shtatoret
Dhe pllakat e bronzta
Përgjithnjë, deri n’amshim i ke shfarosur emrat e tyre
Nuk i gjen nëpër gazeta
Vetëm ekspertët e historisë do të dinë për ta
Emrat e tyre janë hequr nga sheshet dhe rrugët
(të cilat ata vetë i kishin stërmbushur)
E ke asgjësuar Partinë e tyre
Por tek Ti është pushteti i pambarim
Pushteti i DREJTËSISË
të sundosh mbi pushtetet tokësore
të të gjithë popujve
Ti je mbrojtës i të vobektëve

Sepse ti mban mend vrasjet që kanë bërë ata
Nuk i harron ofshamat e fatzezëve
Perëndi kij mëshirë për mua në kampin e përqendrimit

Këputi telat!

Që t’i shmangem portës së vdekjes
Për të kënduar pastaj himne në Portën e Sionit
Dhe për të madhëruar Ditën e Fitores në Sion
Ata do të vriten me armët e veta
Policia e tyre do t’u vijë hakut
Siç i përndiqnin ata të tjerët
Edhe vetë do të jenë të përndjekur
Perëndia do t’ua shkatërrojë të gjitha taktikat
Ata do të balsamohen në Mauzoleumet e tyre

Ngritu Perëndi
Për të mos u trimëruar njeriu i mbuluar me dekorata
Që varfanjakët të mos jenë përgjithnjë të harruar
Që të mos jetë përherë e kotë shpresa e të shtypurve

O perëndi
Ktheje drejt tyre terrorin që po mbjellin
Që të dinë se edhe ata janë njerëz e jo Zotër!

Deri kur do të fshihesh Perëndi?
Ateistët thonë se nuk ekziston
Deri kur do të festojnë fitoret autokratët?
Deri kur do të zhurmojë radioja e tyre?
Ata çdo natë organizojnë kremte
E ne shikojmë dritat nga gostitë e tyre
Dhe deri sa ata bëjnë gosti
Ne vuajmë në burgje
Për ta ZOTI është fjalë abstrakte
DREJTËSIA është parullë
Deklaratat e tyre për Shtyp janë të tërat gënjeshtra dhe mashtrime
Fjalët e tyre janë armë propagande
mjet për eksploatim
Jemi të rrethuar nga rrjetat e tyre të spiunazhit
Mashinkat e tyre janë të drejtuara drejt nesh

Çohu perëndi
Mos i harro të eksploatuarit
Përse ata mendojnë se janë të pacënueshëm?
Ti sheh gjithçka
Sepse na shikon nëpër burgje
Në ty mbështeten të përndjekurit
të tutë janë bonjakët
fëmijët e shokëve tanë të vrarë
Shkatërroje Perëndi shërbimin e tyre të fshehtë
dhe Këshillat e tyre të Luftës
Që të mos e kenë forcën ushtarake

Ngase Ti je ai që do të sundojë deri në amshim
Ai që do të dëgjojë lutjet e të poshtëruarve
Vajin e bonjakëve
Ai që mbron të plaçkiturit dhe
të persekutuarit
Që të mos kenë forcë të pafundme
ata lart
që mbajnë pushtetin.

NA SHPËTO

Psalmi 12

Na shpëto ti
Sepse partitë nuk do të na shpëtojnë
Njëra tjetrën gënjejnë
Njëra tjetrën shfrytëzojnë
Njëmijë radio transmetojnë gënjeshtrat e tyre
Të gjitha gazetat bartin shpifjet e tyre
Kanë krijuar zyrat e tyre të veçanta për prodhimin e Gënjeshtrave
Ata pohojnë:
“Do të sundojmë me Propagandë
Propaganda punon për ne”
Për shkak të shtypjes së varfanjakëve
Për shkak të ndrydhjes së të përbuzurve
Këtë çast do të ngrihem
thotë Perëndia
dhe do t’ua jap lirinë atyre që rënkojnë
Por fjalët e Perëndisë janë fjalë të pastra
e jo Propagandë

Armët e tyre janë gjithkund
Jemi të rrethuar nga tanket e mitralozët e tyre
Vrasësit stolisur me dekorata na fyejnë
Dhe ata që ngrejnë dolli në klubet e tyre
Derisa ne vuajmë në banesat e mjera
Ka të tillë që nëpër kokteje kalojnë gjithë jetën.

NUK KAM GJË TË MIRË PËRVEÇ TEJE

Psalmi 16

Dhe i thashë:
Nuk kam asnjë të mirë përveç teje!
Nuk i adhuroj yjet e filmit
As prijësit politikë
Nuk u përgjunjem autokratëve

Nuk jemi të parapaguar në gazetat e tyre
As të anëtarësuar në partitë e tyre
Nuk themi parulla
Nuk shërbehemi me shifrat e tyre

Nuk i dëgjojmë programet e tyre
As u besojmë reklamave të tyre

Nuk vishemi sipas modës së tyre
As blejmë prodhimet e tyre

Nuk jemi anëtarë të klubeve të tyre
As hamë në restorantet e tyre

Nuk e lakmoj menynë e gostive të tyre
Dhe nuk do të gllabëroj nga viktimat e tyre të përgjakura

Perëndia është pjesa ime e trashëgimisë në Tokën e Premtuar

Kam pasur fat të më takojë tokë e mirë
Në ndarjen agrare të Tokës së Premtuar

Gjithnjë je ti para meje
Të gjitha gjëndrat e mia luajnë të gëzuara
Dhe netëve derisa flej
Dhe në ndërdije
unë të adhuroj!

PLOTËSOJE PERËNDI TË DREJTËN TIME

Psalmi 17

Plotësoje Perëndi të drejtën time
Dëgjoje klithmën time
Dëgjoje lutjen time që nuk është parullë
Të më gjykosh ti
E jo Gjykatësit
Nëse netëve më merr në pyetje nën reflektorë
Me detektuesin tënd të gënjeshtrave
Nuk do të gjesh në mua padrejtësi
Nuk e përhap atë që thotë radioja njerëzore
as propagandën e tyre komerciale
as propagandën politike

Iu kam përmbajtur fjalëve tua
e jo urdhrave të tyre
Të thërras
Sepse duhet të më dëgjosh
O Perëndi
dëgjoje fjalën time
Ti je mbrojtës i të deportuarve
dhe atyre që Këshillat e Luftës i kanë dënuar
dhe atyre të internuar në kampet e përqendrimit
më ruaj si sytë e ballit
më mbulo me hijen e krahëve tu
më shpëto nga autokratët
dhe mafia e gangsterëve
Mitralozët e tyre janë drejtuar në ne
rrethuar nga parulla urrejtjeje
Spiunët sillen rreth shtëpisë sime
netëve më përcjellin agjentë sekretë
gangsterët janë gjithkund rreth meje

Ngreu Perëndi
ua prej rrugën
mposhti
Më çliro nga kthetrat e Bankave
Le të më shpëtojë dora jote nga njerëzit afaristë
dhe nga anëtarët e klubeve ekskluzive
nga të gjithë ata që janë velur me të gjitha!
Nga ata, frigoriferët e të cilëve janë përplot
tryezat të stërmbushura
të cilët u hedhin kavjar qenve

Hyrja në atë Klub për ne është e ndaluar
por Ti do të na ushqesh dhe do të ngopemi
kur të kalojë nata…

ARRITI PRANVERA QË BIE ERË NIKARAGUE

Arriti pranvera që bie erë Nikarague:
Në tokën e mbushur me ujë shirash dhe ngrohtësi
Dhe lule dhe rrënjë të shpluara në diell dhe gjethe të lagura
(në largësi dëgjohet pëllitja e një lope…)
Mbase është kjo aromë e dashurisë? Por ajo dashuri nuk është e jotja.
Edhe dashuria ndaj atdheut ishte pronë e diktatorit
e diktatorit
të trashë me veshje sportive, me kapelë kaubojësh,
në jahtin luksoz, në visoret e ëndrrave tua:
ishte ai, i cili e ka dashur vendin, e ka plaçkitur, e ka pushtuar.
Në atdheun tënd të dashur diktatori i balsamuar,
Derisa ty dashuria të hodhi mërgim.

Pasues i Krishtit në jetën shpirtërore, i Marksit në qëndrimet politike, ndërkaq i Ezra Paundit në poezi, Ernesto Kardenal (1925), megjithë botëkuptimet e parimet e tilla ka shkruar një poezi jashtëzakonisht moderne, ka jetuar në Manastir dhe një kohë ishte një nga anëtarët e Qeverisë Sandiniste në Nikaragua. Me emrin e tij lidhet edhe dukuria e një drejtimi tejet origjinal në fushën e poezisë, drejtimi i eksteriorizmit, ndërsa me veprimtarinë e tij të përgjithshme numërohet ndër përfaqësuesit më të shquar të asaj tradite shpirtërore, e cila në Amerikën Latine quhet teologjia e çlirimit. Me veprën e tij më të njohur “Psalmet” (1964), nga e cila janë shkëputur këto poezi, Kardenal, sikur asnjë poet modern i shekullit XX, ka vënë një lidhje të thellë midis ideologjisë revolucionare dhe Shkrimit të Shenjtë dhe njëkohësisht e ka ngritur poetikisht deri në skajshmëri akuzën kundër të gjitha llojeve të totalitarizmit në botën bashkëkohore. Ka shkruar edhe vëllimet poetike: “Karmen dhe vjersha të tjera”, Getsimania, Ki, “Profecia mbi Managuan”, “Lutje për Merlin Monronë”, “Epigrame”, etj.

--

--

OSMAN GASHI
0 Followers

University Professor, Poetry writer, Literary Translator